Ne jemi produkte të mendimeve tona. Është mënyra se si mendojmë që aktivizon energjinë e brendshme dhe që na drejton drejt përmbushjes së qëllimeve që kemi. Frika është armiku ynë më i madh. Shpeshherë sabotojmë veten dhe dorëzojmë armët sepse nuk besojmë mjaftueshëm te ai që jemi. Megjithatë raporti që ti ke me vetëbesimin tënd nuk është përfundimtari. Ai mund të ndryshojë nëse ti vendos të sfidosh besimet kufizuese aktuale, duke ndjekur me rigorozitet 6 këshillat e mëposhtme. Por një gjë po ta them që në fillim të këtij artikulli me shumë siguri:
Ti vlen shumë. Sikur ta dije se sa vlen.
1.Vrit mendimet që të bëjnë të besosh se nuk je mjaftueshëm
Të ka ndodhur ndonjëherë të shpërqendrohesh prej asaj që je duke bërë prej një zëri të vogël, por me ndikim të madh brenda teje, që të thotë se nuk je mjaftueshëm? A i shkatërrojnë këto biseda të brendshme të mendjes, përpjekjet e tua të vazhdueshme? Nëse ndodh një gjë e tillë, dije se nuk je i vetëm. Herë pas here, të gjithë zhvillojnë beteja të brendshme me veten, të cilat të marrin energji dhe nuk të lënë të fokusohesh në betejat e vërteta të jetës.
Zgjidhja?
Merr vendimin që të zhytesh i gjithi në punë. Bëje këtë derisa i gjithë procesi të nisë të rrjedhë në mënyrë të natyrshme. Kështu do të fillosh të harrosh besimet e tua kufizuese që të pengojnë të bësh më të mirën dhe do të nisësh të shohësh rezultatet e para.
2.Qëndro në gjendjen emocionale të suksesit
Shko pas dhe reflekto për sukseset e mëparshme. Ato nuk duhet të kenë të bëjnë patjetër me atë që je duke bërë aktualisht. Arsyeja pse duhet ta bësh këtë është që të rilidhesh sërish me ndjesitë e të qenit i suksesshëm. Kujto një moment kur ia ke dalë në jetë ose shko te një mesazh që ke marrë nga një njeri që e vlerëson. Lexoji fjalët që të ka thënë rreth arritjes tënde dhe lëre veten të përfshihet prej ndjesive të të qenit i suksesshëm.
I love my Business vjen për herë të parë në Prishtinë: Regjistrohu këtu
3. Sfido besimet kufizuese duke u kthyer pas në të shkuarën
Ti nuk linde me frikëra, pasiguri dhe besime të kufizuara për veten. Ato u rrënjosën gradualisht te ti nga disa përvoja të hidhura që ke kaluar. Ti nuk je njeriu që harron të mbajë mend emrat e njerëzve, as harraqi që humb diçka njëherë në tre ditë dhe as një njeri me inteligjencë të ulët. Shkak i ngulitjes në mendjen tënde të një besimi kufizues mund të jetë bërë eksperienca që ke kaluar, por edhe prania e njerëzve jo mbështetës, të cilët mund të të kenë përqeshur ose të kenë etiketuar në një formë të caktuar për shkak të një gabimi të vetëm. Subkoshienca jote i ka pranuar ato etiketime dhe tashmë po identifikohesh nëpëmjet tyre. Është thjesht një programim, që siç është rrënjosur, mundet edhe të zhduket nëse arrin të shkosh në burim dhe nëse vendos ta trajtosh. Udhëto në të shkuarën. Nisu drejt ngjarjes që të bëri të krijosh një besim të caktuar për veten. Pasi të gjesh farën që dikur ke mbjellur, sfidoje atë dhe gjeji një zëvendësues. Ti je njeriu që i mban mend emrat, nuk harron asgjë vend e pavend dhe ke inteligjencën e duhur për t’i gjetur zgjidhjen çdo problemi. Ti je arkitekti i vetes tënde. Shfrytëzoje fuqinë tënde krijuese për të ndërtuar kryeveprën që mund të lërë gojëhapur një botë të tërë. Të gjitha zgjedhjet janë në një dorë të vetme. Në dorën tënde.
4.Fuqizoje veten nëpërmjet vizualizimeve
Të vizualizosh veten duke përjetuar një moment suksesi është një tjetër metodë, e cila do të të rrisë besimin te vetja. Përpara nisjes së garës, atletët elitarë shohin drejt vijës së finishit. Ndërkohë që hedhin sytë atje, në mendje shfaqet e gjithë gara, prej momentit të nisjes, e deri në fund. Ky është një vizualizim që e bëjnë në çdo stërvitje, pasi fitorja është dhe qëllimi i tyre. Në këtë mënyrë arrijnë t’i japin sinjal nënvetëdijes se mund t’ia dalin dhe besimi te vetja rritet. Të njëjtën gjë mund ta vësh në zbatim për çdo synim që ke. Mendja jote përcakton se si do e prekësh finishin. Sigurohu që në mendje të kesh një imazh të vetëm. Atë të fituesit, që je ti.
Të pres në Mendo, Ndrysho, Fito, në Tiranë: Regjistrohu këtu
5.Përdor gjuhën e trupit për t’i dhënë sinjalet e duhura mendjes
A e di se mënyra se si e mban trupin, ndikon direkt në gjendjen tënde mendore dhe emocionale? Fiziku yt, qëndrimi që mban, i jep menjëherë sinjale mendjes. Kujto se si në një rast dobësie je përkulur në tokë, duke marrë frymë me vështirësi. Po aq sa mendja ndikon në trup, edhe trupi i jep sinjale dhe komanda të caktuara mendjes. Ndrysho për një çast qëndrimin tënd. Qëndro në këmbë dhe merr frymë thellë. Thuaj me ngadalë gjëra për të cilat je i qartë dhe që kanë një vlerë për t’u thënë. Dhë më pas prit magjinë të ndodhë. Disa praktika fare të thjeshta mund të transformojnë rrënjësisht jetën tënde.
6.Kultivo ide pozitive rreth vetes
“Çfarë ti mendon për veten është shumë më e rëndësishme sesa ajo që të tjerët mendojnë për ty”, ka thënë dhe filozofi i madh i lashtësisë, Seneka.
Përgjatë rritjes sonë janë figurat e autoritetit ato të cilët ndikojnë ndjeshëm te mënyra se si e shohim veten. Këndvështrimet e tyre padashur bëhen edhe tonat. Këto figura, të cilat kanë një impakt te ne, mund të jenë prindërit, një mësues, apo dikush tjetër që e konsiderojmë si të rëndësishëm. Me kalimin e viteve duhet t’i kujtosh vetes se mendimi yt rreth atij që je dhe përfaqëson duhet të jetë mbi të gjithë të tjerët. Nëse të mungon ky qëndrim i fortë dhe i qartë rreth vetes, do të jesh gjithmonë duke kërkuar mendimet dhe idetë e të tjerëve në çdo situatë dhe sfidë që do të paraqitet. Askush nuk di më mirë se ti se çfarë dëshiron në të vërtetë dhe çfarë të bën të lumtur. Jeta që të është dhuruar të përket ty. Përgjegjësia është e jotja. Të gjithë kemi nevojë të konsultohemi herë pas here me njerëz, të cilëve u besojmë, por varësia që mund të krijojmë është komplet tjetër gjë. Cilat janë tiparet e një njeriu që kur ecën në rrugë e mban kokën lart dhe që e do shumë veten për atë që është? Ai njeri mund të jesh ti. Edhe nëse nuk ke qenë deri tani. Mos lër të shkuarën të të përcaktojë. Asgjë madje nuk të përcakton. Je ti dhe zëri brenda teje që vendosin se cili do të jesh. Bëj marrëveshjen më të leverdishme me atë zë 😉
Vetëbesimi bëhet veshja jonë e preferuar kur ne jemi në përputhje me versionin ideal të vetes sonë. Nis sot rrugën drejt njeriut që zemra dhe mendja jote kërkojnë që të jesh. Njeriu i përmbushur është njeriu me vetëbesim.